Sot po mbahet seanca e radhës në Kuvendin e Kosovës, ku shumë prej deputetëve po e marrin fjalën e ndër ta është edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ku kjo e fundit ftoi qeverinë që t’i thërrasin përfaqësuesit e sindikatave dhe të bisedojnë rreth shqetësimeve që ata kanë.
Ajo ka thënë se kryeministri, Kurti dhe ministri, Hekuran Murati kanë deklaruar se kemi rritje ekonomike dhe nëse është kështu përse nuk trajtohen kërkesat e sindikalistëve, ka pyetur Hoxha.
Tutja ajo ka thënë se nuk po shihet askund rritja ekonomike përveç rritjes enorme të çmimeve.
“Rritja ekonomike nuk po shihet askund, po shohim vetëm rritje enorme të çmimeve. Ftoni sindikatat diskutoni e dialogoni”, tha Hoxha.
Ajo u shpreh se dikur Kurti ka mbështetur përfaqësuesit e sindikatave, ndërsa tani kërkon të ndërrohen këta përfaqësues.
“Në nëntor të vitit 2019 kryeministri i tanishëm Kurti kishte organizuar tryezë me krerët e sindikatave kryesore të vendit. Më 11 nëntor të 2019-ës kryeministri Kurti kishte pritur përfaqësuesit e sindikatave të arsimit, shëndetësisë, kujtojmë faktin se shqetësimi i tyre kishte qenë Ligji i Pagave dhe Ligji për Pensionimin e Parakohshëm të Policisë”.
“Nëntë muaj më vonë sa janë në pushtet kuptuam se kjo paraqitje ishte farsë propagandistike, sepse nuk ishte as qëllim e as mënyrë si të forcohen sindikatat, i kishte përkrahur sa ishte por sot z.Kurti nuk i pret më”, u shpreh ajo.
Ajo tha se kjo mënyrë është degradim i nivelit të qytetarëve dhe punëtorëve që sot duan të kërkojnë të drejtat e tyre përballë qeverisë./GazetaSinjali/