Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier i ka reaguar homologut të tij në Beograd Christopher Hill, i cili mbrëmë ka theksuar se Serbia është me afër NATO-s, sesa Kosova, shkruan Gazeta Sinjali.
“I kontestoj ata që dëshirojnë ta vendosin dikë para të tjerëve në rrugën drejt NATO-s”, tha ambasadori.
Hovenier ka thënë se politika e SHBA-së është e qartë se dëshiron që secili shtet të jetë në gjendje të marrë vendime vetë për aleancat e organizatat në të cilat do të anëtarësohet.
Ai ka thënë se kjo është edhe arsyeja që po e përkrah Ukrainën, pasi që do që populli ukrainas të vendosë vetë e jo të tjerët për të.
Ambasadori ka thënë se është i vetëdijshëm se Kosova ka vendosur dhe dëshiron t’i bashkohet NATO-s.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj…Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë. Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur”, ka thënë Hovenier, i cili ka shtuar se pret që Kosova një ditë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.
“Dua të kundërshtojë ata që duan të bëjnë krahasime. Ka angazhime të mëdha për të avancuar sigurinë e Kosovës”, ka theksuar mes tjerash ambasadori amerikan.