Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me prodhuesit e qumështit ka thënë se kanë arritur një listë dakordimesh lidhur me kërkesat e tyre.
Hoti iu ka bërë thirrje prodhuesve të mos dalin në protestë dhe të mos e hedhin qumështin.
“Problemin në këtë moment e kemi tek përpunuesit sepse janë krijuar stoqe të mëdha dhe kemi probleme te marketet. Sot pas diskutimit u dakorduam që Qeveria të marrë përsipër që të subvencionojë prodhimin vendor, përfshirë edhe prodhimin e qumështit në vlerë prej 25 për qind të çmimit të qumështit që është në stok”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në këtë drejtim do të subvencionojnë vetëm produktet e qumështit.
Hoti ka thënë se kanë marrë obligim të ketë kontroll rigoroz për vajin e palmës dhe produktet e qumështit pluhur.
“Në tregtinë e brendshme inspektorati me AVUK do të jenë aktiv për të inspektuar tregun. Ne morëm për obligim që të punojmë me ministrinë e Financave dhe Administratën tatimore që të përgatitet baza ligjore që të njihen humbjet nëse hedhet qumështi”, ka thënë ai.