I deleguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotin,shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo letër ishte një shenjë proteste për refuzimin që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës i bëri kërkesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një vizitë në Kosovë, së bashku me Vulinin, Gjuriqin e Petkoviqin.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një konference për media e ka konfirmuar se e ka pranuar një letër nga Lajçak.
Hoti në këtë konferencë ka thënë se do të respektojnë marrëveshjet për lëvizjen e lirë, e se në proces të dialogut do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura.
“Marrëveshjet i respektojmë sigurisht, jemi pro lëvizjes së lirë, po punojmë në proces të dialogut që të përmbyllim të gjitha çështjet e hapura, po nganjëherë janë mjaft të ndishme, kam pranuar letrën nga Lajcak do t’i përgjigjem, çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë në të cilën do të kalojmë”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, në letrën e publikuar në media, Lajçak ia ka përmendur Hotit Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes dhe atë të Vizave, të cilat në tërësinë e tyre, përfaqësojnë angazhimet e dialogut që duhet të respektohen nga të dyja palët e përfshira në dialog.
“Siç përcaktohet në Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes, individët e secilës palë janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat e secilës palë që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare. Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare, dhe amendamenti i tyre që është një pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje sigurojnë trajtimin dhe ekzekutimin e rregullt të vizitave zyrtare. Këto rregulla, së bashku me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes kanë rezultuar shumë të dobishme, dhe ato përbëjnë një arritje në punën midis jush dhe Beogradit, e cila duhet të ruhet”, thuhet në letrën e Lajçakut./Gazeta Sinjali/