image Hoti: Ia kemi dalë mbanë me menaxhimin e pandemisë, vaksina vjen brenda javësh

Shëndetësi

Hoti: Ia kemi dalë mbanë me menaxhimin e pandemisë, vaksina vjen brenda javësh

news image

Ka filluar mbledhja e Komitetit për menaxhimin e pandemisë, ku i pranishëm është edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti i cili ka thënë se ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Sipas tij, pandemia është menaxhuar me sukses, transmeton Gazeta Sinjali.

“U mbushën një vit nga fillimi i pandemisë do të falënderoj dhe të shpreh respektin për të gjithë stafin shëndetësor për punën që kanë bërë ne menaxhimin e pandemisë. Në emër të Qeverisë shpreh ngushëllime për ata që kanë vdekur. Ka qenë përvojë jetësore për të gjithë neve, kemi kaluar një vit të jashtëzakonshëm dhe e them me kënaqësi që ia kemi dalë” ka thënë Hoti.

Ai ka lavdëruar ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemajn dhe drejtorin e IKSHPK-së duke thënë se kanë arritur t’i ngritin kapacitetet.

Hoti ka potencuar se edhe kategorizimi i komunave është marrë si model nga vendet e tjera.

“Jemi në muajt e fundit të përmbylljes së kësaj pandemie dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. Në dy javët e fundit kemi pasur rritje në numrin e rasteve, por nuk është shumë e lartë kjo rritje, duhet të jemi të mobilizuar me inspektoratin”, ka shtuar ai.

“Pandemia na ka shkaktuar probleme sociale dhe ekonomike dhe nuk kemi arritur të i’u dalim në ndihmë të gjithë atyre që kanë pasur nevojë. Asnjë aktivitet nuk është anuluar për mungesë të buxhetit. Tash me të dhënat që kemi gradualisht po kthehemi në normalitet. Tash jemi në fazën finale të kësaj pandemie”, tha Hoti.

“Për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe janë bërë të gjitha përgatitjet në këtë drejtim sipas standardeve të BE-së. Ne presim që për disa javë të arrijnë vaksinat. Jam i sigurt se do t’ia dalim mbanë dhe do t’i kthehemi normalitetit”/Gazeta Sinjali/