Nga 111 deputet të pranishëm vetëm 68 të cilët votuan, me 65 vota pro, 3 kundër u zgjodh Qeveria e re teknike, në krye me Talat Xhaferin.
Për herë të parë në historinë e shtetit maqedonas, një shqiptar u betuar si kryeministër i këtij vendi.
Telat Xhaferi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dha betimin dhe zotimin për të kryer me përgjegjësi detyrat e tij.
Fjalimi për media pas zgjedhjes kryeministër:
Teksa gjatë fjalimit të tij të cilin e mbajti në gjuhën shqipe në foltoren e Kuvendit, ai tha se këtë mandat do ta pranojë me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë.
“Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me shpresë se propozimi që keni sot para vetes do të jetë përbërja që do të përmbush përgjegjësitë ndaj qytetarëve tanë. Këtë propozim e bëj me marrëveshjen e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mandatari Xhaferi.
“Edhe pse mund të quhet qeveri kalimtare që prioritet do ta ketë mbajtjen e zgjedhjeve, për mua si mandatar i kësaj qeverie nuk ka dallim nëse është fjala për 1 ose 100 ditë. Unë ketë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë të jetës sime politike dhe profesionale”, ka shtuar ai.
Ai i ka siguruar të gjithë qytetarët që në asnjë qast nuk do të lejojë që të devijohet roli i institutit profesional.
“Duke e marrë parasysh se kjo qeveri është propozim pas negociatave të partive politike, unë dhe qeveria obligohemi të vazhdojmë me zbatimin e plotë edhe të politikave të pranuara”, është shprehur Talat Xhaferi.
Me një orë e 15 minuta vonesë filloi seanca për zgjedhjen e Qeverisë teknike, mandatar i së cilës në pajtim me Marrëveshjen e Përzhinos është Talat Xhaferi.
Por kush është kryeministri shqiptar që do të qeverisë Maqedoninë e Veriut?
Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.
Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Më 28 prill të 2001, në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.
Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013.
Në një deklaratë për mediat , gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”.
Në vitin 2016, për herën e pestë zgjidhet deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më 21 gusht 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës të deputetëve të Kuvendit dhe zgjidhet Kryetar i dhomës ligjvënëse.
Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze.
Në nëntor 2016 – Medalja Presidenciale e Meritave e ndarë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për kontribut dhe veprimtari kombëtare.