image Historia e takimeve në SHBA, një muaj pasi Thaçit iu ndal rruga për në Washington

Politikë

Historia e takimeve në SHBA, një muaj pasi Thaçit iu ndal rruga për në Washington

news image

27 qershori i këtij viti ishte data që u caktua për t’u takuar Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë për t’i hequr pengesat për dialog. Por ky takim nuk ndodhi edhe pse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte nisur më 24 qershor për Washington.

Takimi i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një draft-aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Washingtonit.

Në momentin kur u publikua ky njoftim, Thaçi ndodhej në Vjenë të Austrisë, prej nga edhe u kthye mbrapa për në Kosovë.

Takimi u shtye për 4 shtator, ku në praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u nënshkrua marrëveshja për normalizim ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një konferencë për media tha se kjo marrëveshje është një hap i madh drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të dyja vendet, në janar dhe shkurt të këtij viti kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat ende nuk kanë nisur të zbatohen.

Nënshkrimi i këtyre letrave të interesit është bërë në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ishte pezulluar, si pasojë e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik.

Ky dialog nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.

/GazetaSinjali/