Qeveria e Kosovës para një muaji kishte amnistuar këngëtarën Tayna nga karantina, por të njëjtën gjë nuk po e bënë edhe për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, tash e dy muaj ndodhet në Zvicër së bashku me familjen e tij, pasi nuk po lejohet të kthehet në Kosovës, shkruan Insajderi.
Ai sot nëpërmjet një statusi ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës duke thënë se autoritetet kosovare po e pengojnë të vijë në Kosovë, edhe pasi u ka dëshmuar se është i izoluar në Zvicër që dy muaj dhe se u ka dokumentuar këtë.
Pacolli akuzon Qeverinë në detyrë të Albin Kurtit, duke thënë se këtë pengesë po ia bën një qeveri që ai e ka votuar, pa votuar rrezimin e saj më parë.
“Kjo qeveri sot në mënyrë primitive, diktatoriale, më privon të kthehem në vendin tim! Më pengon të zhvilloj veprimtarinë time parlamentare në shërbim të Atdheut tim!”, ka shkruar Pacolli.
Gjithashtu, Pacolli i është drejtuar Qeverisë Kurti se nesë do të votonte pro tyre, a do të lejohet hyrja në Kosovë.
“Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do të votoja pro jush – a do të më pëngonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodhë ndaj meje, është zhgënjyese! Kjo është pergjigjja ndaj sjelljeve të mia ndaj jush!”, ka shkruar Pacolli .
E ndaj reagimeve të Pacollit nuk heshti kabineti i kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurtit. Këshilltarja e tij, Furtuna Sheremeti, tha se kjo qasje vjen për shkak se “është e vështirë të pranohet se të gjithë janë të barabartë para ligjit”.
“Kjo qasje eshte kriju si rezultat i sa e sa viteve praktike qe pushteti eshte mbi ligjin. Eshte veshtire me e pranu tash qe te gjithe realisht jemi te barabarte para ligjit”, ka shkruar Sheremeti në Twitter.
Pas, këshilltares së Kurtit erdhi edhe reagimi i deputetit te Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili ka quajtur arrogancë feudale të Pacollit kërkesën e tij për të mos u futur në karantinë.
“Arroganca feudale e Behgjet Pacollit për t’u trajtuar ndryshe prej neve është neveritëse, e papranushme dhe nuk duhet të tolerohet. Detyrimet nuk pyesin për standarde jetese e as për thellësinë e kuletës. Karantimi 14 ditor për shtetasit e ardhur nga jashtë është i obligueshëm. Dhjetra e qindra qytetarë me mundësi të dobëta ekonomike dënohen çdo ditë për mospërfillje të masave. Pse ky të trajtohet ndryshe”, ka shkruar Abrashi.
Por, Pacolli nuk u ndal, ai shfaqi dëshmi se leja për aterim të cilën aeroplani i tij e kishte poseduar për aeroportin e Prishtinës, ishte anuluar nga institucionet kosovare
E pas tërë kësaj zhurme, Pacollit iu lëshu leja për aterim, por sipas tij kjo leje e aterimit është e drejtë ndërkombetare e secilit.
“Po e shof nga mediat se tani është lëshuar një leje për aterim. Nuk di çka ka pas nevojë për krejt këtë inskenim e “kercënim” edhe i ministrive relevante të Kosovës. Leja e aterimit është e drejtë ndërkombetare e secilit. Unë në këto kushte nuk po ndihëm i sigurt në Kosovë”, ka shkruar Pacolli. /Gazeta Sinjali/