Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, tha se mendon se propozimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me shumë gjasa do të diskutohet në bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Unë mendoj se në bisedimet e ardhshme do të flitet për Asociacionin. Siç e përmenda më herët, marrëveshjet që u nënshkruan në prani të njerëzve shumë seriozë nga komuniteti ndërkombëtar duhet të zbatohen,” tha Hill, raporton Danas.
Se në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të flitet për Asociacionin ka konfirmuar edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ai njoftoi se në takimin e 2 majit mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet prezantimi i draft statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Po në këtë takimit pritet të bëhet edhe miratimi zyrtar i Deklaratës për personat e Zhdukur.
Ditë më parë edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe deri më 2 maj kur takohen udhëheqësit e Kosovës e Serbisë.