image Hill fton sërish Kosovën në “Open Ballkan”

Kosovë

Hill fton sërish Kosovën në “Open Ballkan”

news image

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen drejtuar Kosovës që t’i bashkohet nismës “Open Ballkan”.

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill ka deklaruar se pjesëmarrja në këtë iniciativë do të ishte pozitive për njohjen ndërkombëtarisht nga Kosova.

“Ata duhet të jenë pjesë e kësaj nisme. Ajo i ka dyert e hapura dhe do të ishte në interesin e vetë Kosovës, sidomos për përpjekjet e saj për të qenë e njohur ndërkombëtarisht, për të pasur më shumë vende që e njohin, por edhe për të parë progresin që ajo ka bërë. Mendoj se kjo është një nismë ku Kosova duhet të bëjë pjesë patjetër, pasi ajo nuk do të ndalet pa Kosovën që vazhdon të ecë përpara”, është shprehur Hill për Euronews Albania.

Tutje, ai ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se “është diçka, por ka ende shumë punë për të bërë”.

“Janë shumë çështje thelbësore që kërkojnë zgjidhje. Njëra prej tyre është ajo e serbëve të Kosovës. Ata duhet të besojnë se janë të mirëpritur dhe se do të ndihen mirë në Kosovë. Por ka edhe çështje të tjera që duhet të zgjidhen në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, është shprehur Hill.

/GazetaSinjali/