Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha sot në Beograd, në prag të dhjetëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, se është koha e fundit që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Këtë javë bëhen 10 vjet nga Marrëveshja e Brukselit dhe është koha që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ajo që mund t’ju siguroj është se ne nuk do të dorëzohemi, derisa të arrihet”, tha Hill para gazetarëve në Serbi.
Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar sot se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë përparim dhe të shmanget çdo tension. Derisa është pyetur në lidhje me deklarimet e liderëve të Serbisë, ai ka thënë se presin zbatim të plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit të dakorduar në Ohër.
Lidhur me zgjedhjet që do të mbahen të dielën në veri të vendit, diplomati gjerman ka deklaruar se të dy palët duhet të arrijnë përparim për qytetarët e të dyja vendeve.
“Ne kemi bërë një deklaratë për këtë dhe nevoja e kohës përveç zbatimit është edhe shmangia e çdo tensioni për ndonjë temë tjetër. Ajo që na nevojitet është që të dy palët tani duhet së bashku në mënyrë konstruktive të arrijnë përparim që është i rëndësishëm për qytetarët e të dy vendeve”, ka deklaruar ai.
Ai nuk ka dashur të komentojë deklarimet e liderëve në Beograd, veçse ka theksuar se presin zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.