image Hill: Është koha që barrikadat të hiqen nga ata që i kanë vënë ato

Politikë

Hill: Është koha që barrikadat të hiqen nga ata që i kanë vënë ato

news image

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se barrikadat e vendosura në veri duhet hequr.

Duke folur në lidhje me vendosjen e barrikadave nga komuniteti serb në veri të Kosovës, Hill theksoi se, sipas serbëve lokalë, vendosja e tyre është bërë në shenjë proteste.

Mirëpo, sipas ambasadorit Hill, ata që i vendosën këto barrikada, duhet edhe t’i heqin tashmë, pasi tha se mesazhi është përcjellë.

“Sa i përket barrikadave, ato janë padyshim një problem. Nga këndvështrimi i komunitetit serb, kjo është një protestë. Dua të them se e kuptuam pse e bënë, dhe se i kemi dëgjuar thirrjet e tyre, por mendoj se ka ardhur koha që njerëzit që i vendosën barrikadat, edhe t’i heqin ato. Shpresoj se ata do të jenë gati për t’i hequr ato barrikada sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Hill në një intervistë për Nova.

Për më tepër, Hill tha se mbrojtja e të drejtave të serbëve në Kosovë është edhe pikësynimi i dialogut.

“Ne i kuptojmë frustrimet e komunitetit serb në Kosovë. E kuptoj se këto frustrime nuk janë shfaqur deri para disa ditësh por që ekzistojnë prej kohësh. Në fund të fundit, komuniteti serb ekziston në Kosovë tash e disa shekuj dhe ata kanë të drejtë të dinë çka i pret në të ardhmen.”

“Dhe pikërisht për këtë po flasim kur flasim për dialog politik – të sigurohemi që komuniteti serb të jetojë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe të ndihet mirë aty”, deklaroi ambasadori Hill.

Kujtojmë se deri tash, në pjesën veriore të Kosovës janë vendosur gjithsej 13 barrikada.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar se në bisedën me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit u ka treguar për “lirimin e serbëve të arrestuar”, si dhe “mendimin e tij se është mirë që barrikadat të hiqen”, raportoi televizioni “Pink Tv”.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka ripërsëritur se për heqje të barrikadave, Qeveria është në koordinim me KFOR-in.

Megjithatë, ai u shpreh se koha që i është dhënë KFOR-it për intervenim, po shteron.

“KFOR ka kërkuar kohë për të vepruar, por kjo kohë po shteron me shpejtësi. Kemi bashkëpunim e koordinim me KFOR… koha që i kemi dhënë KFOR… Një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndroj parimi i lëvizjes së lirë e edhe barrikadat”, ka thënë Kuti.

/GazetaSinjali/