Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se SHBA-të janë të kënaqura që Serbia e mbështet procesin e dialogut.
Tutje ai ka thënë se konsideron çështjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë si një nga “shtyllat qendrore të procesit të dialogut”.
“Është shumë e vështirë, por duhet të them se Serbia po vjen e përgatitur në këto bisedime. Ndonjëherë nuk arrihet përparim në këto bisedime, por nuk mendoj se dikush fajëson Serbinë për faktin se procesi nuk çon në një mirëkuptim më të mirë. Unë e konsideroj çështjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë si një nga shtyllat qendrore të procesit të dialogut”, tha Hill.
Ai shtoi se normalizimi i marrëdhënieve duhet parë në afat të gjatë, si dhe se duhet të ketë shumë më pak incidente.
“Serbët duhet të kuptojnë se cila është e ardhmja e tyre në Kosovë, dhe ne e mbështesim këtë jashtëzakonisht, kështu që ka mbetur shumë punë. Mendoj se kemi bërë një përparim, por është e qartë se nuk mjafton dhe kjo është një fushë ku ne duhet të punojmë shumë më tepër”, tha Hill.