Helmimi i 26 verifikuesve të cilët ishin të ngarkuar me numërimin e votave, ka alarmuar edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Ekrem Lutfiu, i ka thënë Gazetës Sinjali se momentalisht në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një prokuror për t’i ndërmarr veprimet e nevojshme për hetimin e këtij rasti.
“Momentalisht mund të konfirmojmë vetëm se një prokuror i Prokurorisë Speciale ka dalë në vendin e ngjarjes për ndërmarrjen e veprimeve lidhur me këtë çështje”, ka thënë Lutfiu.
Numërimi i votave është ndërprerë rreth orës 11:00, pasi 5 kutitë me fletëvotime rreth 80 kilogramëshe që kanë ardhur nga Serbia, në momentin e hapjes kanë kundërmuar, duke ndikuar në shëndetin e shumë verifikuesve.
Pacientët të cilët dyshohet se u helmuan nga fletëvotimet që kanë ardhur nga Serbia kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare te Qafa. Mjekja e kësaj qendre Shqipe Shkodra ka njoftuar ata kanë manifestuar simptoma të skuqjes në shuplakat e duarve dhe në lëkurë, marramendje dhe djegie hundësh, shkruan Gazeta Sinjali. /Gazeta Sinjali/