image Helmimi i dyshuar i rreth 70 personave, Policia nis verifikimet në Klinikën Infektive të QKUK-së

Siguri

Helmimi i dyshuar i rreth 70 personave, Policia nis verifikimet në Klinikën Infektive të QKUK-së

news image

Policia e Kosovës ka nisur mbledhjen e informatave lidhur me rastin e dyshuar të helmimit nga ushqimi, ku rreth 70 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Zyrtarët policorë kanë vizituar Klinikën Infektive, ku kanë marrë të dhënat e pacientëve që janë trajtuar dhe të atyre që janë hospitalizuar pas paraqitjes së simptomave të dyshuara.

Sipas njoftimit të Klinikës Infektive, pacientët kanë raportuar simptoma si temperaturë, ethe, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, të cilat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.

Nga 10 deri më 13 korrik, rreth 70 persona kanë kërkuar kujdes mjekësor, ndërsa 22 prej tyre janë shtrirë në spital për trajtim të mëtejshëm. Rastet janë raportuar tek Inspektorati Shëndetësor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe janë regjistruar në sistemin e mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse.

Pacientët e hospitalizuar po vazhdojnë të jenë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet në vazhdimësi.

Autoritetet kanë nisur veprimet për të zbardhur shkaqet e këtij rasti dhe për të përcaktuar burimin e mundshëm të helmimit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/