Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas deklaratës së fundit të ish-Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka paralajmëruar rikthimin në çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Haziri tha se ky paralajmërim ka befasuar jo vetëm rajonin dhe partnerët evropianë, por edhe qeverinë në Prishtinë, e cila sipas tij, nuk është e përgatitur për një rikthim të tillë të vëmendjes amerikane në rajon.
“Është befasuese për Prishtinën zyrtare, sepse nuk ka pasur një agjendë të qartë se si do ta menaxhojë këtë pjesë, në rast se ShBA-të rikthehen fuqishëm në këtë proces”, u shpreh Haziri.
Ai shtoi se përfshirja e ShBA-ve në procesin e dialogut është vendimtare për Kosovën dhe kërkoi që qeveria të jetë më proaktive në qasjen ndaj zhvillimeve ndërkombëtare.
Sipas Hazirit, Trump kishte përmendur Kosovën dy herë gjatë fushatës presidenciale, por mungesa e përgatitjes nga ana e institucioneve kosovare tregon nevojën për një strategji më të qartë në këtë drejtim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!