Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka bërë thirrje për bashkëpunim të gjerë politik dhe institucional, duke theksuar se kjo është e vetmja mënyrë për të tejkaluar krizën aktuale dhe për të rikthyer stabilitetin në vend.
Në një reagim publik, Haziri tha se Kosova ka nevojë për një agjendë të qartë zhvillimore dhe strategjike, e cila duhet të jetë në qendër të çdo marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, prioritet duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet partive, ndërsa ndarja e përgjegjësive institucionale duhet të vijë si hap i fundit i procesit.
“Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz që po e lodh Republikën”, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se kjo qasje është e domosdoshme për t’i dhënë fund krizave politike.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e stabilitetit të brendshëm si bazë për rolin e Kosovës në rajon, duke nënvizuar se vendi duhet të mbetet faktor stabiliteti në Ballkan përmes funksionimit të institucioneve demokratike.
Haziri ka shtuar se proceset e shpeshta zgjedhore janë të pranueshme vetëm në kontekstin e ruajtjes së demokracisë, ndërsa ka bërë thirrje që interesat e shtetit të vendosen mbi ato partiake.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!