image Haxhiu pas rrëfimit të Suzanës: Uroj që Gjykata Supreme ta adresojë padrejtësinë e bërë ndaj saj

Kosovë

Haxhiu pas rrëfimit të Suzanës: Uroj që Gjykata Supreme ta adresojë padrejtësinë e bërë ndaj saj

news image

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka reaguar për rrëfimin e Suzana Zogiani-Sekiraqa, e cila e kishte mbytur burrin e saj me sëpatë.

Në një postim në Facebook, Haxhiu u shpreh se përmes rrëfimit të Suzanës ka kuptuar për padrejtësinë e radhës nga sistemi i drejtësisë.

Sipas saj, është abuzim me drejtësinë nëse dënimi shqiptohet dhe nuk merren parasysh rrethanat që mund të qojnë te zbutja e dënimit.

“Padyshim që vrasja duhet të ndëshkohet por është abuzim me drejtësinë nëse dënimi shqiptohet dhe nuk merren parasysh rrethanat që mund të qojnë te zbutja e dënimit dhe në rastin e Suzanës ka shumë të tilla por që janë injoruar nga dy shkallët e gjykatave! Në shumicën e rasteve, gratë dënohen më shumë se burrat për vrasjen ndaj bashkëshortëve”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.

Suzana Zogiani-Sekiraqa, më 21 shtator 2018, në qytetin Dole të Francës, u ka dhënë fund dhunës dhe keqtrajtimit nga bashkëshorti Artan Sekiraqa, duke e goditur atë 11 herë me sëpatë në qafë.

Ajo thotë se vrasjen e ka kryer në gjendje të tronditjes së thellë, pasi që e kishte parë të ndjerin teksa abuzonte me djalin e tyre.

Zogiani-Sekiraqa është dënuar me 25 vite burgim, dënim ky të cilin ajo e konsideron të padrejtë. Sipas saj, trupi gjykues nuk i ka marrë parasysh fare dëshminë e saj dhe të djalit për abuzim. /Gazeta Sinjali/