image Harris thotë se Trumpi është “fashist” pasi Kelly u shpreh se ish-presidenti donte gjeneralë si ata të Hitlerit

Botë

Harris thotë se Trumpi është “fashist” pasi Kelly u shpreh se ish-presidenti donte gjeneralë si ata të Hitlerit

news image

Nënpresidentja Kamala Harris tha të mërkurën se beson se Donald Trump është “fashist” pasi shefi më jetëgjatë i kabinetit të ish-presidentit u shpreh se ky i fundit, gjatë kohës që ishte në detyrë, kishte shprehur vlerësim për Adolf Hitlerin dhe kishte vënë besnikërinë personale mbi Kushtetutën.

Harris vuri theksin te komentet e gjeneralit në pension John Kelly, lidhur me qëndrimet e ish-shefit të tij në intervistat për gazetën ‘The New York Times’ dhe revistën ‘The Atlantic’, botuar të martën.

Ai paralajmëronte se kandidati presidencial republikan plotëson kriteret e përkufizimit të një fashisti dhe se kur ishte në detyrë, kishte sugjeruar se Adolf Hitleri “kishte bërë disa gjëra të mira”.

Duke folur në një takim të hapur në Pensilvani, të drejtuar nga rrjeti CNN, Harris tha se këto komente janë një mundësi për të kuptuar se cili është “në të vërtetë” ish-presidenti dhe se çfarë lloj komandanti i përgjithshëm do të ishte ai.

Kur u pyet nëse besonte se Trumpi ishte fashist, Harris u përgjigj dy herë: “Po, e besoj”.

Më pas, ajo u shpreh se nëse Trump do të zgjidhej përsëri ai do të ishte një “president që adhuron diktatorët dhe është fashist”.

Kandidatja demokrate për presidente tha se komentet e Kellyt, më pak se dy javë para se sa votuesit të vendosin nëse duan ta rikthejnë Trump në Shtëpinë e Bardhë, ishin “një thirrje urgjente paralajmëruese për popullin amerikan”, raporton VOA.

/GazetaSinjali/