image Hargreaves: Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme

Politikë

Hargreaves: Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme

news image

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje që partitë politike në vend të bashkëpunojnë për krijimin e institucioneve të qëndrueshme, duke theksuar se sfidat me të cilat përballet Kosova dhe kontinenti nuk mund të presin.

Deklarata e tij u bë gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada Britanike me rastin e ditëlindjes së Mbretit, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe trupit diplomatik.

Hargreaves tha se pas 18 muajsh pasigurie politike, është e domosdoshme që forcat politike të punojnë së bashku për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe për të adresuar çështjet me rëndësi për qytetarët.

“Çështjet me të cilat përballet ky vend dhe ky kontinent nuk mund të presin. Partitë politike duhet të punojnë së bashku për të mirën e Kosovës, për të krijuar një parlament, qeveri dhe presidencë të qëndrueshme”, deklaroi ai.

Diplomati britanik rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke theksuar se Londra ka qenë pranë vendit që nga fillimi dhe do të vazhdojë ta mbështesë edhe në të ardhmen.

Sipas tij, Kosova duhet të vazhdojë të forcojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe karakterin shumë-etnik të shtetit, duke ndërtuar besim te partnerët ndërkombëtarë përmes respektimit të zotimeve dhe vlerave të përbashkëta.

Hargreaves vlerësoi gjithashtu përparimin e Kosovës ndër vite, duke e cilësuar atë si rezultat të vendosmërisë, guximit dhe përkushtimit të qytetarëve të saj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/