Ish-kryeministri i Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar sot në në ‘të pame’ te familja e ish-zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Sylë Zhitisë, i cili vdiq para dy ditësh si pasojë e një problemi kardiovaskular.
Ndonëse për shkak të rrezikut të përhapjes së koronavirusit në ceremoni të tilla lejohen vetëm rrethi i ngushtë familjar, kjo nuk ka pasur rëndësi për Haradinajn. Madje ai në këtë ceremoni ngushëllimesh nuk ka shkuar i vetëm, por ka marrë një sërë zyrtarësh të partisë e bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Vizitë ngushëlluese në familjen atdhetare të Osman Zhitisë, për të ndarë dhembjen e kalimit në amshim të birit të tij, Sylës, veprimtarit të shquar dhe zyrtarit të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes. Baca Osman, djemtë e tij i rriti në frymë të lartë patriotike dhe luftës për liri e çlirim, ia fali njërin prej bijëve më të mëdhenj e më të devotshëm të Atdheut, Heroin e Kombit, Afrim Zhitinë”, ka shkruar Haradinaj mbi fotografitë.
Në fotografitë e publikuara vërehet një numër i madh njerëzish nën shatorrin ku familja e Sylë Zhitisë po priste vizitorë për ngushëllime. Ndërkohë, Haradinaj shihet në afërsi të disa personave, teksa asnjëri nga ta, e as vetë Haradinaj, nuk kanë maska. /Gazeta Sinjali/