image Haradinaj: Vendimi i KQZ-së për diasporën u votua unanimisht nga të gjitha partitë politike

Politikë

Haradinaj: Vendimi i KQZ-së për diasporën u votua unanimisht nga të gjitha partitë politike

news image

Vendimi i fundit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit votuesit jashtë Kosovës e humbin të drejtën e votës, nëse nuk përgjigjen në telefon kur kontaktohen nga ky komision, sipas ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, u mor me vendim unanim të të gjitha partive politike, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas saj, këtë gjë ia ka konfirmuar vetë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila e ka vlerësuar këtë vendim si një masë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë.

“Nga Kryetarja Daka u informova se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, duke dëshmuar gatishmërinë e të gjithë spektrit politik për zgjedhje demokratike e me standarde të larta e gjithëpërfshirëse”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj në Facebook.

Kryediplomatja thotë se Daka e ka siguruar se e drejta kushtetuese nuk do t’i mohohet askujt nga diaspora dhe se procedura shtesë e verifikimit do të bëhet me qëllim evitimin e praktikave te dëmshme të dëshmuara në proceset zgjedhore të kaluara, që kanë sjellë ankesa mbi votat e ardhura me vonesë, duke vonuar certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti./Gazeta Sinjali/