image Haradinaj u kërkon falje të gjithë shqiptarëve për 'përplasjet' me Ramën

Kosovë

Deklarata/ Haradinaj u kërkon falje të gjithë shqiptarëve për ‘përplasjet’ me Ramën

news image

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar përplasjen me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, që erdhi pas samitit të ‘Mini-Schengenit.

Në një intervistë për ‘Epokën e Re’ Haradinaj shprehu keqardhje që që kryeministrat e dy vendeve po polemizojnë në distancë, duke u kërkuar për këtë falje të gjithë shqiptarëve.

I pari i qeverisë kosovare ka thënë se kur pozicionohet për çështje nacionale nuk e bën këtë për inat apo për hatër të dikujt tjetër.

“Krejt shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike, jemi vëllezër e motra. Ne jemi një. Por, për interesa nacionale nuk kam qare pa u pozicionuar. Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të njërit, sepse për interes nacional janë vrarë Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar. Kur kam dalë kundër ndarjes dhe kundër asaj se ‘Trepça’ t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive që kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzisim tash me këtë gjuhë që përdoret”, ka thënë Haradinaj.

Përplasjet Haradinaj-Rama nisën nga samiti i Berlinit, ku shkuan të ndarë dhe pas së cilit hodhën akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. /Gazeta Sinjali/