image Haradinaj u bën thirrje serbëve të Kosovës të distancohen nga deklaratat e Vulinit për Reçakun

Politikë

Haradinaj u bën thirrje serbëve të Kosovës të distancohen nga deklaratat e Vulinit për Reçakun

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të Aleksandar Vulin, i cili tha se Masakra e Reçakut është ‘gënjeshtër’.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin.

Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës, që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Kosova u ndërtua me shumë vuajtje, dhembje e sakrifica. Pas luftës së përgjakshme, ajo gjeti forcën dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar konsolidoi demokracinë dhe krijoi një ambient ku shqiptarët dhe komunitetet pakicë, të jetojnë bashkë në paqe e harmoni.

Fatkeqësisht, investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin.

Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci.

Këtë standard që e vendosëm atëherë, duhet ta respektojë secila qeveri, duke mos lejuar asnjërin që të tentojë të shkatërrojë investimin shumëvjeçar.

Orientimi ynë, vazhdon të mbetet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe të gjitha grupeve etnike pakicë, që Kosova të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj e që respekton të drejtat e secilit.

Në fund, iu bëj thirrje serbëve të Kosovës, që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën.

/GazetaSinjali/