Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që ai drejton do ta japë kontributin e saj nëse është i nevojshëm, dhe se nuk do ta lë vendin pa institucione.
Ai theksoi se do të mbahet mend rrëzimi i Qeverisë Kurti për votat e shumta që mori mocioni.
“Ajo që është me rëndësi të thuhet, është që një qeveri kur humbet besimin e gjysmës së vet, ajo rrëzohet. Do të mbahet mend në Kosovë, për një vendim të një vote masive, mbi 80, pra 2/3. Aleanca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet dhe do t’i marr obligimet që i ka një subjekt në këto rrethana”, tha Haradinaj.
Përkeqësimi i marrëdhënieve me SHBA-në, heqja e taksës, janë disa nga arsyet pse AAK votoi pro mocionit të iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti, është shprehur Haradinaj në Dukagjin.
Ai theksoi se AAK do ta luajë rolin e vet që shtetin të mos e lë pa qeveri, ndërsa personalisht nuk do të jetë pjesë e ndonjë qeverie të re.
“Presidenti i vendit do t’i nisë procedurat, e atëherë kur vjen mundësia që edhe Aleanca të japë kontributin e vet, ne do të veprojmë. Nuk do ta lëmë këtë vend peng. Personalisht nuk jam kandidat për kryeministër. Aleanca nuk po lufton për pak pushtet. Rrëzimi nuk ka ndodh nga Aleanca as për hatër të PAN-it, por se kryeministri e ka nxitur partnerin e vet të dalë prej Qeverisë. AAK nuk e ka me çdo kusht me të jetë pjesë e qeverisë së re”, tha Haradinaj. /Gazeta Sinjali/