image Haradinaj ‘thyen akullin’ nga liderët opozitarë - mirëpret mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës përmes MCC-së

Politikë

Haradinaj ‘thyen akullin’ nga liderët opozitarë – mirëpret mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës përmes MCC-së

news image

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas takimit të krerëve shtetërorë, Vjosa Osmani e Albin Kurti, me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, të mbajtur dje në Washington, raporton Gazeta Sinjali.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se mirëpret mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën përmes fondit të MCC-së.

Sipas tij, SHBA edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës.

Mirëpres mbështetjen e ShBA-së për Kosovën përmes fondit të MCC-së dhe takimin e delegacionit të Kosovës me Sekretarin Blinken. ShBA, edhe njëherë ka treguar lidershipin e saj në ndihmën ndaj Kosovës, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në procesin e dialogut”, shkroi Haradinaj.

Ish kryeministri Haradinaj tha tutje se tani është koha për marrëveshjen finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e SHBA-ve.

Por për dallim nga Haradinaj, lidhur me takimin nuk janë deklaruar ende dy liderët tjerë të opozitës, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Dje Blinken priti në Departamentin e Shtetit presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti me të cilët sipas njoftimit nga DASH-i, diskutoi për partneritetin ndërshtetëror e për dialogun me Serbinë.

SHBA ka përsëritur qëndrimin se dialogu duhet të mbyllet me marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.

Ndërkaq krerët e Kosovës e kanë quajtur të shkëlqyeshëm e fort të dobishëm takimin me Blinkenin.

/GazetaSinjali/