Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, është takuar sot me shefen e Zyrë së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilën thotë se biseduan për zhvillimet e fundit politike në vend.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
“Prita sot në takim shefen e zyres së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova me të cilën biseduam për zhvillimet e fundit politike në vend dhe vazhdimin e partneritetit në projektet e përbashkëta”, ka njoftuar Haradinaj.
Në këtë takim, Haradinaj nuk e ka lënë pa i përmendur zyrtares së BE-së edhe liberalizimin e vizave, për të cilin ka thënë se është në dorë të BE-së, pasi sipas tij Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
“Theksova se institucionet e vendit janë të përkushtuara për të vazhduar obligimet kontraktuale sipas MSA-së, në të gjitha etapat tona të funksionimit dhe se Kosova ka përfunduar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, fakt ky që i mbetet BE-së të vendos në të drejtën tonë për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka përfunuar kryeministri në detyrë. /Gazeta Sinjali/