Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla ka pritur sot në takim ambasadoren e Izraelit me mision në Beograd, Alona Fisher-Kamm, të cilën e ka falënderuar për angazhimin konstruktiv në ngritjen e raporteve në mes të Izraelit dhe Kosovës.
Në këtë takim, ministrja Haradinaj – Stublla, duke mirëpritur gatishmërinë e ambasadores Kamm për asistencën ndaj Kosovës në menaxhimin e luftës kundër COVID-19, tha se thellimi dhe avancimi i bashkëpunimit shumëdimensional, mbetet përkushtim i përbashkët i të dyja vendeve.
“Derisa shtetet tjera janë krenare me miqësinë e krijuar me shtetin e Izraelit së fundi, ne krenohemi me miqësinë e përjetshme që kemi pasur si dy popuj liridashës”, tha Haradinaj-Stublla, duke shtuar se “numri i hebrenjve në Kosovë dhe viset tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rritur, ngase familjet shqiptare përmes besës së dhënë kishin shpëtuar mijëra herbrenj”./Gazeta Sinjali/