Në kohën kur dokumentet jozyrtare, të njohura si “non-paper” po dalin, sa në Slloveni e sa në Kosovë, e që për qëllim kanë ndryshimin e kufijve apo marrëveshjet e mëdha historike, një i tillë është hartuar më 2002, në Serbi.
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka nxjerrë në Twitter një “non-paper”, që sipas saj e futi në telashe atë kohë kryeministrin Zoran Gjingjiq.
While we’re at non-paper(s) and strategies, here’s one that allegedly put the late Prime Minister of #Serbia #ZoranDjindjic into real trouble. #Kosovo #Serbia #Dec2002 #Balkans pic.twitter.com/V65KGIGLeO
— Meliza Haradinaj – Stublla (@MelizaHaradinaj) April 27, 2021
Gjingjiq më vonë ishte vrarë.
Dokumenti është një strategji se si duhet vepruar në Kosovë pas luftës.
Në “non paper-in” serb, i hartuar vetëm për Kosovën, ndër të tjera thuhet se duhet bërë kërkesa të mëdha, për të marrë si kthim diçka për serbët.
Ndër të tjera parashihej se nëse arrihen standardet para statusit, do të jetë vështirë për serbët dhe se kjo do të merret si bazë se institucionet e Kosovës janë funksionale.
Ideja e serbëve, sipas dokumentit, ishte që kjo të pengohej.
“Hapi i parë në këtë taktikë është që të imponohen temat. Shteti i pavarur i Kosovës më së lehti do të arrihet në qetësi dhe errësirë. Por në momentin që të ndizen dritat, fillon debati, shanset tona rriten. Kërkesa jonë e parë konkrete duhet të jetë insistimi për kthimin e një kontingjenti të policisë dhe ushtrisë, që është paraparë me Rezolutën 1244. Ka pak shanse të ndodhë kjo, por me insistimin në këtë, krijojmë mundësi për disa kërkesa të tjera”, thuhet në këtë dokument-strategji, që nuk dihet se kush është autori.
Po ashtu në këtë dokument të vitit 2002, gjashtë vite para shpalljes së pavarësisë, thuhet se “nëse Kosova arrin pavarësinë, ne duhet të kërkojmë a; ndarjen territoriale, garanci të forta ndërkombëtare për serbët në pjesën shqiptare dhe status të veçantë të objekteve fetare”.
Parashihej edhe një lidhje e strukturave lokale si dhe propagandimi te mediat e fuqishme botërore.
Në fakt, të gjithë këto tema janë ende aktuale. Si ndarja territoriale, si asociacioni i komunave serbe dhe po ashtu propaganda./Gazeta Sinjali/