Meliza Haradinaj-Stublla, kandidate për deputete nga AAK-ja, ka mirëpritur vendimin e PZAP-së për t’u rinumëruar të gjitha votat e kësaj partia nga diaspora dhe ato me kusht, shkruan Gazeta Sinjali.
“Duartrokas vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat, dhe nga diaspora, për kandidatet e AAK-së. Le të zbardhet njëherë e mirë vullneti qytetar”, shkroi ajo në Facebook.
Haradinaj-Stublla, thotë se me këtë rast do të zbardhet e vërteta që qëndron pas incizimit që u raportua se burri i saj, Dardan Stublla, dyshohet se është përfshirë në skandalin për manipulim votash.
“Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përsëris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”, shkroi ajo.