Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha funksionet në AAK, pas skandalit lidhur me votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në një postim në Facebook.
Ajo ka thënë se jep dorëheqje për shkak se ndodhet “në një skemë piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit e shantazhit”.
“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, ka shkruar ajo.
Gazeta Sinjali ka arritur ta sigurojë vendimin e lirimit nga detyra i ministres Haradianj-Stublla.
Sipas këtij, vendimi, Meliza Haradinaj-Stublla obligohet ta bëjë deklarimin e pasurisë.
Haradinaj-Stublla ka vazhduar se s’është sekret që AAK-ja s’ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet dhe se ky fakt “ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë”.
“Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda”, ka shtuar Haradinaj-Stublla.
Ajo ka thënë se s’ka pritur që ndonjëherë do të largohet nga AAK-ja, por ka theksuar se kjo po ndodh për shkak të prezencës toksike të disa njerëzve që AAK-në po e bëjnë të pareformueshme.
Të hënën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve për kandidatët e AAK-së, pas akuzave publike të kandidates Florentina Gjergjaj se Meliza Haradinaj-Stublla kishte vjedhur vota.
Në postimin e saj, Haradinaj-Stublla ka thënë se kërkon që Prokuroria të ndriçojë sa më parë rastin, teksa e ka quajtur inskenim një video në të cilën pretendohej për mashtrime të kryera nga bashkëshorti i saj.
“Rinumërimi i disa kutive është një hap përpara, por jo determinues për zbulimin e të vërtetës së plotë, pasiqë gjeneza e problemit qëndron pikërisht tek pretendimet e parashtruara në këtë video-inskenim, e që jam e bindur se me zbardhjen e fakteve, do të rrënohen edhe SKEMAT PIRAMIDALE KRIMINALE, TË ORKESTRUARA NGA PARAPOLITIKA, E QË AKTIVIZOHEN SA HERË KA NEVOJË. Për këto arsye, dyshimet janë të bazuara që ka keqpërdorime edhe të kutive tjera, andaj KËRKOJ RINUMËRIM TOTAL. Faktet do t’i paraqes në organet kompetente”, ka shkruar ajo, teksa ka paralajmëruar se do të mbajë aktive “paditë për shpifje, fyerje e shantazh”.
Haradinaj-Stublla në zgjedhjet e 14 shkurtit mori 4424 vota duke u bërë deputetja e fundit në kuadër të listës prej tetë deputetësh të AAK-së.
Ajo ishte emëruar ministre e Punëve të Jashtme me ardhjen e Qeverisë Hoti në qershor./Gazeta Sinjali/