Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka deklaruar se si subjekt politik ende nuk kanë marr ftesë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konsultime, teksa shprehu gatishmërinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që t’i bashkohet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës.
“Ende jo si subjekt politik ende jo nuk kemi ftesë…. Kjo është një ide e hershme edhe e jona dhe se kryetari i grupit parlamentar të AAK-së në këtë rast Ahmet Isufi, ka marrë udhëzimet edhe nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia e partisë të Aleancës që t’i bashkohet një mocioni për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai.
I pari i AAK-së tha se partia që udhëheqë ai do të shkoj e vetme në zgjedhje, duke lënë të hapur mundësinë për Nismën, PSD-në dhe AKR-në.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shkon vetëm në zgjedhje, megjithatë ne kemi një respekt ta them ashtu një afërsi me disa parti, kemi fol për Nismën, PSD-në, për AKR- në jemi të hapur por Aleanca shkon vetëm në zgjedhje”, u shpreh Haradinaj.
I pyetur rreth deklarimeve të deputetit të PDK-së, z. Bekim Haxhiu, i cili tha se Haradinaj e shkeli besimin e PDK-së, Haradinaj nuk i komentoi këto deklarata vetëm se shprehu respektin që ka ndaj deputetit Haxhiu.
Këto deklarata, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj sot i ka bërë pas nderimeve që bëri me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së Rahim Beqirit-komandant Roki, te lapidari në fshatin Kopernicë.
Në anën tjetër kujtojmë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka zhvilluar takime me deputetët e 6+, por që ende nuk ka ftuar për konsultime asnjë parti shqiptare. /Sinjali/