Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në Junik, pas arrestimeve që ndodhën në këtë komunë, për shkak të dyshimeve për “Dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet”, raporton Gazeta Sinjali.
Mirëpo, Haradinaj i rrethuar nga dhjetëra simpatizantë të AAK-së i ka injoruar tërësisht këto zhvillime, ndonëse në prangat e policisë ranë zyrtarja e kësaj partie në Komunën e Junikut, Blerina Sallaj dhe Flamur Kuçi, i biri i kryetarit të kësaj komune, nga po ky subjekt politik, Agron Kuçit.
“Juniku i fitoreve. Të ndershmit dinë me nderu. Sot në Junik”, shkroi ai në Facebook.
Flamur Kuçi me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Për 48 orë është ndaluar edhe Blerina Sallaj, për arrestimin e të cilës ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ajo dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimet”.
Sinjali nga burimet ka mësuar se Blerina Sallaj është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga Drejtoria e Krimeve të Rënda.
Megjithatë, burimet e Sinjalit thonë se ajo gojarisht ua ka rrëfyer të vërtetën Policisë që në kontaktin e parë në aeroport, kur u zu në flagrancë me materialet e sekuestruara.
Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?
Sallaj të premten ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora.
Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.
Sallaj gjatë intervistimit, siç ka mësuar Sinjali, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.
Dje, Sinjali po ashtu raportoi se në Komunën e Junikut ka zbarkuar Drejtoria e Krimeve të Rënda, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/