Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rekordit të zi që është shënuar sot në vend, ku si pasojë e COVID-19 vdiqën 36 njerëz.
Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, tha se përtej politikës, pushteti aktual dhe klasa politike duhet të kthjellet dhe se situata e krijuar nuk menaxhohet me takime rutinë e me masa sipërfaqësore.
“Qeveria duhet t’i orientojë krejt potencialet njerëzore e financiare në mbrojtje të shëndetit të popullit. Detyrë mbi detyrat sot është mposhtja e sëmundjes së shekullit”, shkroi ai.
Tutje, Haradinaj i bëri ftesë kryeministrit Kurti që ta kuptojë seriozitetin e gjendjes dhe të veprojë në përputhje me situatën.
Për fund ai ngushëlloi të gjithë familjarët e viktimave “Atyre që sot e gjithë këto ditë i kanë humbur të dashurit e tyre, ngushëllimet më të sinqerta”.
Postimi i plotë:
36 prej nesh, prej sot nuk janë më. Ky është një rekord i zi për Kosovën. Përtej politikës, ky pushtet e kjo klasë politike duhet të kthjellet. Situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe nuk menaxhohet me takime rutinë e me masa sipërfaqësore. Qeveria duhet t’i orientojë krejt potencialet njerëzore e financiare në mbrojtje të shëndetit të popullit. Detyrë mbi detyrat sot është mposhtja e sëmundjes së shekullit. Me shpresë se ky i sotmi është rekordi i fundit i zi, e ftoj Kryeministrin Kurti ta kuptojë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe të veprojë në përputhje me situatën.
Atyre që sot e gjithë këto ditë i kanë humbur të dashurit e tyre, ngushëllimet më të sinqerta!