Partnerët e koalicionit në Qeverinë e Kosovës ende nuk janë dakorduar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Kalkulimet për këtë pozitë filluan kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh kreun e saj si të duhur për këtë post, edhe pse thonë se nëse insistohet që vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë kjo parti “është e përgatitur si asnjëherë më parë”.
Në një intervistë për Gazetën Sinjali, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se kandidatura e Haradinajt është bërë për t’i shmangur zgjedhjet dhe se nuk i dinë kalkulimet e partive të tjera për këtë pozitë.
“Ne nuk i dimë kalkulimet e të tjerëve që i bëjnë brenda partive të tyre. Aleanca e ka nominuar kandidatin e vet për president të vendit. Asnjëherë tjetër nuk ka qenë më i nevojshëm për president një profil i personalitetit të cilin e përfaqëson Ramush Haradinaj. Ne e kemi ofruar z. Haradinaj për president për t’i shmangur zgjedhjet, jo pse ne nuk jemi të përgatitur për to, por sepse jemi në kohë të pa kohë për të organizuar zgjedhje të mirëfillta. Por nese bash insistohet me çdo kusht që të hyjmë në fazën e zgjedhjeve, nuk do t’iu shmangemi aspak dhe jemi të përgatitur si asnjëherë më parë”, ka thënë Lekaj për Gazetën Sinjali.
Lekaj tutje ka shtuar se mungesa e Thaçit dhe Veselit përmbushet nëse Haradinaj do të ishte në këtë pozitë.
“Është shumë e vërtetë që me mungesën e bashkëprotagonistëve të luftës për liri por edhe të liderizmit shtetëror gjatë pasluftës, pra të z.Thaçi dhe z. Veseli, Ramush Haradinaj është më i duhuri për të mbushur boshllëqet e krijuara nga mosprezenca në Kosovë e në jetën e përditshme politike të ish-presidentit, z. Thaçi dhe ish kryeparlamentarit, z.Veseli”, tha Lekaj.
Sinjali e ka pyetur atë edhe për deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, se kandidatura e Haradinajt për president ka qenë befasi.
Lekaj u përgjigj shkurt për këtë pjesë: “Nuk dëshiroj të lëshohem në komente. Befasi do të ishte mosdakordësia e partnerit tonë, LDK-së, për të mbështetur z. Haradinaj për president”.
Lidhur me debatet ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit të AAK-së për disa mospajtime, Lekaj ka thënë se debatet e tilla nuk duhet shikuar si përçarje por si insistim për të punuar më mirë së bashku.
“Debatet brenda partnerëve të koalicionit nuk duhet parë si përçarje, por si insistim i ndërsjellë për t’u bërë gjërat më mirë se kaq. Edhe atëherë në Washington edhe sot reagimet për tema të caktuara janë thirrje për të qenë më vigjilent në tema të ndjeshme, e sidomos kur ato kanë të bëjnë në raport me Serbinë, por edhe këto krejtë të fundit me Gjykatën Speciale”, tha tutje Lekaj për Sinjalin.
Lekaj ka folur edhe për përplasjet e fundit në Kuvend për temën e të pagjeturve, ku më pas u kërkua dorëheqja e zv/kryeministrit Driton Selmanaj.
Duke mos e përmendur këtë kërkesë, Lekaj u shpreh se Kosova duhet t’i kundërpërgjigjet Serbisë si tërësi politike e juridike.
“Të pagjeturit, masakrat viktimat e luftës, njerëzit e Kosovës të dhunuar nga strukturat militare e paramilitare të Serbisë, shtëpitë e djegura, dhe të gjitha plagët që na i ka shkaktuar Serbia duhet të jenë tema që na bashkojnë, duhet të jenë tema jopartiake, por shtetërore me unitet të plotë partiak, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij. Serbia kur na i ka shkaktuar këto dëme njerëzore e materiale nuk ka pyetur kush i kujt partië a krahine e Kosovës është. Prandaj sot ne duhet t’i kundërpërgjigjemi Serbisë si tërësi politike e juridike e Kosovës. Të pagjeturit janë dyer pa adresë, prandaj duhet që t’i bëjmë me adresën që e meritojnë për t’iu dhënë mundësi familijarëve e mbarë Kosovës që t’i nderojë ashtu siç e meritojnë. Te pagjeturit duhet të gjinden dhe të kthehen në atdheun e tyre për të cilin u martirizuan”, tha tutje Lekaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë sot para mediave se në fillim të dhjetorit apo në ditët në vijim pritet të organizojë një takim me subjektet tjera politike për të diskutuar çështjen e presidentit.
Pozitën e presidentit të Kosovës e ushtron kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.