Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka uruar Suedinë pas marrjes së Bresidencës së Bashkimit Evropian, Maqedonisë së Veriut për marrjen e kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe Kroacisë për hyrjen e saj në zonën Shengen dhe miratimin e euros si monedhë zyrtare.
Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shkruar se të dyja këto janë role të rëndësishme që do të kërkojnë një lidership dhe përgjegjësi të madhe.
“Ne kemi besim të plotë se Suedia dhe Maqedonia e Veriut janë në lartësinë e detyrës. Ne gjithashtu i shprehim urimet tona më të ngrohta Kroacisë për hyrjen e saj në zonën Shengen dhe miratimin e euros si monedhë zyrtare. Ky është një moment historik i rëndësishëm për Kroacinë dhe jemi të sigurt se do të sjellë shumë përfitime për vendin dhe popullin e saj. Mezi presim të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja për Kroacinë dhe të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve tanë miq”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i AAK-së ka shprehur urime të sinqerta për këto shtete mike dhe shpresën e Kosovës të madhe që nga pozicionet e tyre do të kenë një mundësi edhe më të madhe për të mbështetur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Ne i vlerësojmë marrëdhëniet tona me këto vende dhe presim të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë ne”, tha kryetari i AAK-së.