Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Lybeniqit në Pejë, e cila u krye para 22 viteve nga forcat serbe.
Haradinaj ka theksuar se Kosova do t’i kujtojë me përulje martirët e masakrës së Lybeniqit.
Ai ka theksuar se dëshmorët e martirët e kësaj masakre detyrojnë Kosovën që të mos ndalen së kërkuari drejtësi, deri në dënimin e ekzekutorëve për krimet gjenocidiale.
“Kosova përjetë do t’i kujtojë me përulje martirët e masakrës së Lybeniqit, që u shndërruan në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata na obligojnë që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, gjersa urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dënohen për krimet gjenocidale në tërë Kosovën”, ka shkruar kryetari i AAK-së.
Haradinaj, po ashtu, ka kujtuar edhe rënien e gjeneralit Fadil Nimanit. Nimanin, Haradinaj e ka vlerësuar si një prej komandantëve më të zot në ZOD.
“Po sot, kujtojmë me nderim, rënien heroike të Gjeneral Fadil Nimani, ndër luftëtarët e komandantët më të zot në Zonën Operative të Dukagjinit, që nga ditët e para të luftës çlirimtare. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar në fund ai.