Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me sulmet e policisë në veri të vendit.
Deputeti Haradinaj ka thënë se rendi dhe ligji është në interes të secilit qytetar dhe dy shteteve, Kosovës e Serbisë.
Ai kë bërë thirrje që Qeveria e Kosovës dhe asaj të Serbisë të luftojnë krimin e organizuar ndërkufitar.
Publikimi i plotë i Haradinajt në facebook:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe të gjitha shtetet e NATO-s, intervenuan me 1999 në Kosovë për të ndalur gjenocidin. Që prej atëherë, këto shtete po ashtu, janë përkushtuar për një rajon të qetë dhe të sigurt.
Rendi dhe ligji është në interes të secilit qytetar, ashtu edhe të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, krimi i organizuar nuk ka përkatësi as politike e as etnike dhe na rrezikon të gjithëve. Është në interes dhe obligim i të dy qeverive, të Kosovës dhe të Serbisë, që të luftojnë krimin e organizuar ndërkufitar. Aktet e tilla nuk duhet të tolerohen.