Deputeti nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, në seancën plenare që po zhvillohet sot tha se marrëveshja për targat me Serbinë, ka evituar rrezikun që të kemi viktima.
“Kemi disa ditë që kemi drejtuar situatën në veri. Me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun e parë që mund të kishte viktima qofshin policë apo qytetarë serbë. Por dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave. Qeveria duhet të fillojë dialogun me serbët lokalë”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit.
Tutje ai tha se edhe pse marrëveshja është arritur, ende nuk është zgjidhur situata në veri, ku përmendi sfidat që ndodhen përpara.
“Sfidat që na presin është rikthimi në institucione i serbëve që e kanë lënë punën”, tha Haradinaj.
Ai përmendi edhe rezolutën e kërkuar nga grupi parlamentar i AAK-së që ka të bëjë me dialogun me serbët. Qëllimi i kësaj rezolute është me iu ikë pasojave, që mund të jenë afatgjate”.
Në fund Haradinaj citoi edhe të dërguarit e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak dhe Escobar që kanë thënë se “integriteti territorial nuk është i negociueshëm”.