image Haradinaj nuk i ndal kritikat ndaj Kurtit e Veselit

Kosovë

Fushatë/ Haradinaj nuk i ndal kritikat ndaj Kurtit e Veselit

news image

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK- PSD, Ramush Haradinaj ka vazhduar kritikat ndaj kundër-kandidatëve dhe subjekteve e tjera politike.

Derisa për Albin Kurtin tha se po mundohet të zbulojë diçka që u ka dështuar udhëheqësve komunistë, për Kadi Veselin e përsëriti se kur flet se do ta luftojnë korrupsionin, i bie sikur të flitet për 1 prill.

Haradinaj këto komente i bëri në tubimin që e mbajti në Prishtinë, ku theksoi se kur në Prishtinë dhe jashtë saj, kanë nisur t’i fusin ‘gërshërët’ për ta ndarë Kosovën, AAK dhe PSD janë bashkuar për ta ndalur këtë ndarje.

 “Për shembull Albini dhe politikat e tij ekonomike, iu sigurojë që nuk ekzistojnë më në krejt botën. Atij i ka mbet merak ndonjëherë që nuk ka pas sukses dikush dhe po mundohet mos ky rastësisht me zbulu atë që nuk kanë mundur ata udhëheqësit komunist, ky po ka qejf edhe një herë me u kthyer dhe ato politika me pas sukses….Nëse e marrim kush ka qenë më së gjati në pushtet ajo është PDK dhe tanimë dihet merita e tyre për gjendjen në vend, por edhe LDK ka qenë po aq gjatë në qeverisjen në vend dhe është bashkëpjesëmarrëse në plot procese që i kanë ndodhë vendit. Nëse ka të mira le ta marrin meritën por nuk mund t’i ikin fajësisë. PSD nuk ka qenë në pushtet në nivel nacional. AAK nuk ka qenë gjatë në qeverisje nacionale dhe nuk mund t’ia atribuon dikush kapjen  e shtetit. Ndërsa, për Kadrin po e shoh që nuk po i ndërron fjalët, pra kur unë jam ankuar që më kanë lënë në lloç kur u deshtë me pengu ndarjen, me mbrojt taksën dhe mos me u dorëzuar Kosova para Serbisë, tash ai po thotë me ka lënë Ramushi në lloç. Me i thënë ku me marrë me të lënë në lloç kur shkon në rrugë të gabuar, kur dëshiron t’i ndihmosh Hashimit me nda Kosovën, pra a ka logjik mos me të lënë në lloç“, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj përsëri është ndalur te deklarimet e Veselit për luftimin e korrupsionit.

“Në kohë të zgjedhjeve e pashë një konkurs për 130 vende pune. Imagjinojeni pra, fjala që do ta luftojmë korrupsionin, besoni se është sikur me fol për 1 Prill. Pra, kur po flet Kadri Veseli dhe PDK-ja që kemi me e luftu korrupsionin e kemi me i ndërru praktikat, është si me fol për 1 prill”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka bërë edhe një varg  kritikash të tjera ndaj kundërkandidatëve të tij për postin e kryeministrit./Gazeta Sinjali/