image Haradinaj nga Emergjenca: Festoni me kujdes, mos e ktheni festën në dhimbje

Kosovë

Kërkesë/ Haradinaj nga Emergjenca: Festoni me kujdes, mos e ktheni festën në dhimbje

news image

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, vizitoi në orët e mbrëmjes edhe Repartin e Emergjencës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Ai me këtë rast është takuar me stafin mjekësor të Emergjencës të  cilët edhe sonte do të jenë në vendet e tyre të punës.

Haradinaj ka uruar stafin mjekësor me rastin e festës së Vitit të Ri dhe u ka shprehur mirënjohje për punën e palodhshme që ata kryejnë, madje është shprehur edhe me tone humori.

“Unë kam ardhur duarthatë se ndryshe nuk guxova të vijë ndryshe”, u shpreh Haradinaj me shaka, ndërsa më pas ka bërë edhe një selfi me një nga punonjësit shëndetësor.

Ai apeloi edhe për kujdes gjatë festimit të motmotit të ri nga ana e qytetarëve.

“Për fat të mirë, lajmi është i mirë, nuk kanë shumë raste tash për tash. Apeloj te të gjithë të festojnë sa me më kujdes sidomos ata që drejtojnë makinat, jo nën ndikim të alkoolit, mos ta kthejmë festën në dhimbje. Gjatë mbrëmjes ka pasur mjaft ndërprerje të energjisë, por jemi kujdes të mbetemi në temë. Kam ardhur të falënderoj të gjithë mjekët dhe ata që janë në punë në gjithë vendin, sepse këta do të vazhdojnë të kujdesen për pacientët”, tha Haradinaj.

Ndërsa Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për festën e Vitit të Ri, për t’iu përgjigjur  rasteve eventuale me armë apo mjete piroteknike, por që fatmirësisht deri më tash nuk janë paraqitur raste të tilla.

“Klinika Emergjente ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjet e festave të fundvitit. Falënderojmë kryeministrin për vizitën në Klinikën Emergjente. E pa se stafi i Klinikës Emergjente është në obligim dhe në përgjithësi në ofrimin e kujdesit mjekësor. Mendoj se shërbimi emergjent është specifike dhe shteti në të ardhmen duhet të ketë kujdes të veçantë pasi bëhet fjalë për derën e parë, frymëmarrja e parë, trokitja e parë dhe kjo kategori e kujdesit shëndetësor duhet të dallohet nga kategoritë tjera të cilat ofrojnë kujdes emergjent”, u shpreh Lenjani.

Pas vizitës në Klinikën Emergjente të QKUK-së, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj është nisur për të vizituar edhe pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/