image Haradinaj nga Amerika: Kurti po e përdor si mbulesë Asociacionin për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe

Politikë

Haradinaj nga Amerika: Kurti po e përdor si mbulesë Asociacionin për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe

news image

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë mendimin e tij për çështjen e Asociacionit, që ditëve të fundit është kthyer në temën kryesore të vendit.

Sipas Haradinajt, “të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”.

Ai shprehet se marrëveshja e madhe mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA-në dhe BE-në.

Postimi i tij i plotë:

Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë.

Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet.

Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe.

Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës.

Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan.

Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE

/GazetaSinjali/