Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku sot u takua me emisarin e qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Haradinaj tha se në këtë takim shprehi sërish mirënjohjen ndaj shtetit amerikan për sukseset e deri tanishme të Kosovës, teksa tha se mbështetja e qeverisë amerikane është e parezervë edhe në procesin e dialogut.
“Në takim theksova që arritjet e deritanishme si shtet, përpos që janë meritë e sakrificës së shumë brezave ndër vite, padyshim e kanë vulën e Amerikës.
Në takimin me z. Escobar u dëshmua mbështetja e parezervë e qeverisë amerikane për popullin dhe shtetin Kosovës, në veçanti në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, duke përfshirë edhe procesin e dialogut”, shkroi ai.
Po ashtu, ai tha se nga Escobar ka kërkuar “që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO”.
“Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, shtoi Haradinaj.