Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar shqiptarët kudo që janë për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë Kombëtare duke mos e lënë pa kujtuar pasojat e tërmetit katastrofal që goditi Shqipërinë në prag të kësaj feste
“Historia jonë na dëshmon se ishim shpeshherë të sfiduar përgjatë rrugëtimit tonë dhe edhe në këtë 28 Nëntor kur na bashkon festa dhe na bashkojnë vlerat, jemi të bashkuar për t’iu bërë ballë pasojave të tërmetit, që goditi këto ditë Shqipërinë.”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka uruar që kjo ditë e bekuar të shërbejë si referencë e krenarisë kombëtare që udhëzon për përballimin e sfidave dhe për të punuar bashkërisht dhe me sinqeritet për kombin tonë dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se Dita e 28 Nëntorit lidhë ngjarjet më madhore të historisë shqiptare që nga Skënderbeu e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së. Haradinaj ka shprehur mirënjohje për prijësit themeltarë të shtetit shqiptar që lartësuan vlerat dhe idealet kombëtare dhe përkulje para veprës së heronjve e martirëve, të të gjithë brezave, që luftuan për të drejtën tonë./Gazeta Sinjali/