Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pas fjalimit të këtij të fundit të mbajtur sot gjatë seancës plenare në foltoren e Kuvendit të Kosovës, për rastin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shkruan Gazeta Sinjali.
Haradinaj tha se kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe atëherë kur kryeministri ka dyshime për punën e tij. Ai gjithashtu tha se në këtë rast Kurti në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij.
“Ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti. Kur pushteti e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz. Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë!”, shkroi Haradinaj.
Gjithashtu, ai tha se “ka frikë se diskursi i kryeministrit i shpërfaqur sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës është jo vetëm i gabueshëm, por edhe me pasoja të rënda për shtetin e për drejtësinë”, duke shtuar se sot ai vetë ka kërkuar që kryeministri dhe njerëzit e pushtetit të tij të vendosen në anën e drejtësisë e jo kundër sa.