image Haradinaj: Kurti po i shërben agjendës së Vuçiqit dhe Putinit

Politikë

Haradinaj: Kurti po i shërben agjendës së Vuçiqit dhe Putinit

news image

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se po i shërben agjendës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Haradinaj thotë se ka ende shpresa që kjo “rrugë e gabuar” e Kurtit të ndërpritet në kohë.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa ka treguar arsyen e largimit të tij nga takimi me opozitarët dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit po i shërben agjendës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se veprimet e qeverisë janë mbuluar me popullizëm, por në substancë veprimet e Kurtit po i ndihmojnë Serbisë.

“Po i jep shkas, po i jep arsye, po e bën për të thënë një këshilltar i lartë i departamentit të shtetit, se është kënaqësi që fola me presidentin serb dhe ishte bisedë e mirë, dhe ndamë shqetësimin për veprimin e Kosovës, ky është një shërbim që ia ka bërë vetëm Kurti Serbisë, ende askush nuk ka mundur t’ia bëjë deri sot. Duke pasur parasysh këtë përmbajtje unë nuk pranoj demagogji në takim, dua të më respektojë si bashkëbisedues, i kuptoj këta terma, jam i interesuar në vazhdimësi për sigurinë e vendit. Aq sa e kuptoj situatën e sigurisë, Kurti po i shërben agjendës së Vuçiqit”, ka thënë Haradinaj.

“Ishin biseda jo në substancë, jo rrethanore. Unë e pyeta ku është fitorja e Kosovës që ta kuptojmë, nëse nuk ka fitore pse nuk kthehesh që ta pranosh kërkesën e SHBA-së për shtyrje. Drejtimi që ka marrë Kurti, Qeveria e Kosovës është në shërbim të agjendave të Putinit”, shtoi ai.

Sipas Haradinajt, çdo veprim që po e merr kreu i qeverisë është në llogari të presidentit serb.

Megjithatë, Haradinaj thotë se ka ende shpresa që kjo “rrugë e gabuar” e Kurtit të ndërpritet në kohë.

“Ky po i ndihmon Vuçiqit por shpresoj që kjo rruga e gabuar e tij do të ndërpritet në kohë dhe njerëzit e tjerë në VV do të kenë guximin t’i thonë ndalu”, ka thënë lideri i AAK-së.

/GazetaSinjali/