Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka kujtuar sot momentin e lirimit të tij si i pafajshëm nga Gjykata e Hagës.
Ish-kryeministri i Kosovës, thotë se edhe pse kishte luftuar për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, më 17 nëntor 2004 ishte ftuar për herë të parë nga Haga për t’u ndjekur më pas deri më 29 nëntor 2012.
Haradinaj thotë se lufta për pafajësinë e tij ka zgjatur po aq sa lufta për liri, derisa ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur dhe kanë besuar në pafajësinë e tij.
Ky është postimi I Haradinajt.
Të dashur qytetarë, sot për mua është një datë e rëndësishme, është përvjetori i lirisë sime, por edhe i vulosjes së pastërtisë së luftës sonë çlirimtare.
Edhe pse çlirimtar, luftëtar për liri në tokën time, më 17 nëntor 2004 jam ftuar për herë të parë për intervistim nga Gjykata e Hagës. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012 ka zgjatur ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë jam liruar si i pafajshëm, pas disa viteve jam ftuar për herë të dytë në rigjykim.
Përfundimisht, sot para 10 viteve, mora aktvendimin e pafajësisë. Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa zgjati lufta për liri.
Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time, e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat!