Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrën serbe në Qyshk, në 22-vjetorin e saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova është e mbushur me varre ku pushojnë qindra shqiptarë të ekzekutuar barbarisht nga shteti serb në përpjekje për spastrim etnik.
“Qyshku, Pavlani, Zahaqi dhe Llabjani janë adresë e lirisë. Masakrat ndaj civilëve të pafajshëm e të pambrojtur, janë tregues i çmimit të lartë për liri dhe shtet. Kosova është e mbushur me varre ku pushojnë qindra shqiptarë të ekzekutuar barbarisht nga shteti serb, në tentim të spastrimit etnik, e shumë varre janë ende të zbrazëta”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se nderimi për të rënët mbetet obligim i yni, dhe drejtësia për këto krime duhet të vendoset sa më parë.
“Drejtësia për këto krime duhet të vendoset sa më parë, nderimi për të rënët mbetet obligim i yni e vepra e tyre, udhërrëfyes në punën tonë të përditshme. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”, ka përfunduar Haradinaj.