Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me sulmet që janë bërë në drejtim të Policisë së Kosovës në veri të vendit ditët e fundit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj tha se krimi i organizuar ka sulmuar Policinë dhe këto akte kriminale janë alarm për të gjithë, raporton Gazeta Sinjali.
“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin.”, ka shkruar ai.
Ish-kryeministri i vendit ka bërë thirrje për distancim nga dhuna e nga krimi dhe të bashkohen në luftën e pa kompromis ndaj tij.
Ndryshe, Gazeta Sinjali sot raportoi për gjuajtje me armë drejt pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kjo u konfirmua edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Sveçla tha se ky është një akt terrorist dhe Policia e Kosovës u sulmua sot rreth orës 07:40 me granatë dore dhe kallashnikov.
Ndërsa Mehmeti bëri të ditur se brenda 3 ditësh janë kryer katër sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Postimi i plotë i Haradinajt: