Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar interpelancë me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Interpelanca nga AAK është ftuar për dy arsye.
Sipas shefit të këtij Grupi Parlamentar, Besnik Tahiri, e para lidhet me bllokimin e investimeve kapital dhe e dyta me nevojën që me rishikim buxhetor të ngritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro për shërbyes civilë.
“Nesër, në seancën e Kuvendit të Kosovës, do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës – interpelanca e ministrit, Hekuran Murati, të cilin e kemi ftuar që të reflektojë në dy rreziqe të mëdha ekonomike që i ka Kosova me këtë Qeveri: E para, lidhet me bllokimin e investimeve kapitale, që është në nivelin më të ulët në histori. Dhe, e dyta, me nevojën që me rishikim buxhetor të ngritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro për shërbyes civil. E kam një porosi për Qeverinë dhe ministrin: seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën më të madhe të Qeverisë për investimet publike, dhe të përkujdeset për të punësuarit e administratës shtetërore, që dita ditës po e lëshojnë Kosovën. Ne do të prezantojmë qëndrimet tona, kalkulimet tona, mbi të gjitha sugjerimet tona për ndryshimet në buxhet të Kosovës me rishikim”, ka shkruar Tahiri.